Nxënësit e shkollës “Ardian Klosi”, eksplorojnë shtigjet e historisë së shtetit shqiptar në galerinë e pullave postare të emetuara ndër vite
12 Nëntor 2021 - Nxënësit ekselentë të shkollës 9-vjeçare “Ardian Klosi”, vizituan ditën e premte galerinë e Postës Shqiptare, hapësirën që shërben për ekspozimin e objekteve të vjetra postare, pullës dhe objekteve filatelike që nga periudha e ndërtimit të shtetit shqiptar, me shpalljen e Pavarësisë e deri në ditët e sotme.
Xhensila, Presidentja e shkollës “Ardian Klosi” u shpreh mjaft entuziaste për vizitën në galerinë dedikuar pullave dhe hitorisë së Postës Shqiptare. “Jam shumë e lumtur për këtë mundësi që na është dhënë dhe jam shumë e emocionuar nga të gjitha gjërat që pashë sot, duke nisur që nga pullat e hershme shqiptare, por edhe nga dokumentari mbi pullën postare.”- u shpreh Xhensila.
Nxënësit e shkollës “Ardian Klosi” shoqëroheshin edhe nga Drejtori i shkollës, z. Gjergji Vangjeli, i cili e cilësoi mjaft të vlefshme vizitën e nxënësve në galerinë e pullës dhe filatelisë. “Komplimente Postës Shqiptare për këtë galeri me pulla të larmishme, me një histori interesante, ku nxënësit atë që kanë lexuar nëpër libra, e panë sot konkretisht. Do të kthehemi ta vizitojmë serish këtë galeri kaq interesante, me nxënës të tjerë të shkollës tonë.”- u shpreh Drejtori i shkollës “Ardian Klosi”.
Gjatë vizitës së nxënësve të shkollës “Ardian Klosi”, Administratori i Postës Shqiptare z. Ervin Bushati, pasi i falenderoi për vizitën e tyre në ambientet dedikuar pullës dhe filatelisë, bëri edhe një thirje për të gjithë institucionet e arsimit.
“Dua t’i bëj një thirje të hapur të gjitha institucioneve shqiptare, sidomos shkollave, tempujve tonë të arsimit, që të vijnë dhe të vizitojnë këtë galeri interesante që flet për historinë e Shqipërisë. Ashtu siç kanë nisur disa shkolla që të vizitojnë këtë ambient shumë interesant, të përshtatshëm për të mësuar historinë, mund të vijnë shkolla nga e gjithë Shqipëria. Madje mund të vijnë vizitorë edhe nga treva e Kosovës dhe treva e Maqëdonisë e Malit të Zi, të shikojnë gjenezën e pavarësisë apo gjenezën e shtetit shqiptar të pavaruar të vitit 1912.”- u shpreh z. Bushati.
Në këtë fazë të parë, hapësira e dedikuar ekspozimit të objekteve filatelike dhe postare do të jetë e hapur për nxënësit e shkollave, të rinjtë dhe organizatat e ndryshme apo individë të organizuar në grupe të vogla duke aplikuar pranë faqes së webit të Posta Shqiptare.