Data historike të Postës Shqiptare
- 5 Dhjetor 1912
Më 5 Dhjetor 1912, për rëndësinë specifike që kishte Posta Shqiptare, qeveria e parë kombëtare e Ismail Qemalit, një javë pas shpalljes së pavarësisë, ngriti një ministri të veçantë të Post Telegrafës, ministër i së cilës ishte eruditi Lef Nosi.
Lef Nosi ishte intelektual, atdhetar, politikan dhe studiues si edhe ruajtësi i Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Lef Nosi ishte gjithashtu krijues i Filatelisë së Shtetit Shqiptar, nën drejtimin e së cilit, Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash.
- 5 Maj 1913
Vihet në qarkullim pulla e parë postare shqiptare, e cila ishte një vulë me ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypen 2232 zarfe, duke krijuar në këtë mënyrë simbolin e saj të pazëvendësueshëm edhe në ditën e sotme.
- 1 Mars 1922
Më 7 Korrik 1913, Shqipëria paraqet kërkesën zyrtare për t’u anëtarësuar në Unionin e Përbotshëm Postar (UPU) dhe në Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve. Më 13 prill 1921, Zyra Ndërkombëtare e UPU njoftoi Drejtorinë e Përgjithshme të PTT të Shqipërisë për pranimin e kërkesës shqiptare lidhur me korrespondencën postare, duke hapur rrugën për integrimin e plotë të vendit në sistemin postar ndërkombëtar. Ky proces u kurorëzua me anëtarësimin zyrtar të Postës Shqiptare në UPU më 1 mars 1922. UPU e themeluar në vitin 1874 dhe me seli në Bern të Zvicrës, është organizata e dytë më e vjetër ndërkombëtare në botë dhe sot numëron 192 vende anëtare; çdo shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara mund të bëhet anëtar i UPU.
- 22 Korrik 1924
Krijohet shoqëria “Lidhja e Post-Telegrafistëve të Shqipërisë” e cila në kongresin saj të jashtëzakonshëm më 27 korrik – 4 gusht 1924 aprovoi statutin dhe rregulloret përkatëse, që synonin sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të PTT-së.
- 20 Maj 1947
Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e rregullores për shërbimin postar dhe telefonik.
- 25 Korrik 1979
Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor për aderimin në ndryshimet e miratuara nga Kongresi XVII i Bashkimit Postar Ndërkombëtar.
- Tiranë 1992
Shërbimet e telekomunikacioneve ndahen nga ato postare në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.