Bushati: Shqipëri- Kosovë një komb, punojmë të jemi një treg
Shkëmbim i eksperiencave dhe zhvillim i projekteve teknologjike në funksion të përmirësimit të shërbimit për dy vendet.
E premte, 14 Janar- Administratori i Postës Shqiptare, z. Ervin Bushati priti në një takim një delegacion nga Kosova të kryesuar nga kryeshefja e Postës së Kosovës znj. Fakete Kadiu, në kuadër të një vizite zyrtare që zhvilluan në Tiranë.
Gjatë takimit me delegacionin e Kosovës të mbajtur në ambientet e Postës Shqiptare, administratori Bushati theksoi angazhimin dhe vullnetin e tij për çuarjen më tej të marrëdhënieve mes të dy vendeve në fushën e shërbimeve postare.
Fokusi kryesor i bashkëbisedimit mes Administratorit Bushati dhe kryeshefes së Postës së Kosovës ishte thellimi më tej i bashkëpunimit, njohja me sfidat e reja përballë zhvillimeve teknologjike, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e të dy shteteve.
“Në fakt Kosova dhe Shqipëria si një komb, po përpiqemi të jemi edhe një treg, ndaj me gjithçka mundemi po punojmë që përmes Shqipërisë të zhvillohet edhe Posta e Kosovës. Duke pasur fokus shërbimin ndaj qytetarëve bëjmë që shqiptarët kudo, si në Tiranë edhe në Prishtinë, si në Shkodër edhe Prizren të marrin të njëjtin shërbim cilësor. Vizita ime e parë ka qenë në Prishtinë. Më vjen mirë që midis Tiranës dhe Prishtinës të kemi një bashkëpunim jo vetëm vëllazëror, por edhe cilësor, që qytetarët që ju shërbejmë të ndjehen sa më mirë me ne”, tha Bushati.
Ndërsa drejtuesja e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu vlerësoi përkrahjen që po jep Posta Shqiptare. “Sot kishim një takim jashtëzakonisht të frytshëm. Erdhëm në shtëpinë tonë, në Postën Shqiptare. Kishim një bisedë të mrekullueshme për mundësitë e bashkëpunimit mes dy administratave tona, në interes të qytetarëve tanë. I jemi mirënjohës Postës Shqiptare për përkrahjen që po ofron”, tha ajo.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi zyrtar, drejtuesit e Postës Shqiptare dhe asaj të Kosovës diskutuan edhe për shkëmbimin e eksperiencave si dhe konkretizimin e bashkëpunimit me projekte të përbashkëta.
Bushati e konsideroi të rëndësishme bashkëpunimin mes të dy institucioneve postare edhe në fushën e e-commerce pasi për shkak edhe të pandemisë, një sfidë me të cilën u përball e gjithë bota, tregtia online ka një ndikim të madh në ekonomi dhe është e ardhmja.
Në takim, administratori Bushati ritheksoi angazhimin dhe mbështetjen e institucionit që ai drejton për anëtarësimin e Postës së Kosovës në Unionin e përbotshëm Postar (UPU).
Delegacioni vizitoi edhe galerinë e hapur në Postën Shqiptare, aty ku ekspozohet historia e shtetit shqiptar nëpërmjet pullave postare.