Çmimet CCIT Awards, Posta Shqiptare vlerësohet më “Çmimi i Sakrificës”
E enjte, 20 Janar- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka zhvilluar mbrëmjen Gala të shpërndarjes së çmimeve “CCIT Awards” për kompanitë më të mira të biznesit në vend dhe rajon, në sektorin e ekonomisë për vitin 2021.
CCIT Awards vlerësoi me “Çmimi i Sakrificës” Postën Shqiptare, për të gjithë peshën dhe rëndësinë që ka treguar ndër vite në sektorin ekonomik, adaptimin me risitë teknologjike dhe shërbimin cilësor ndaj qytetarëve shqiptarë.
Çmimi vlerësues i Postës Shqiptare i’u dorëzua Drejtoreshës së Shërbimeve Financiare, znj. Nevila Bejleri, e cila gjatë fjalës së saj falenderoi të pranishmit për këtë çmim dhe i’a dedikoi këtë sukses përkushtimit të gjithë punonjësve të kompanisë Posta Shqiptare.
“Ky çmim padyshim i dedikohet të gjithë punonjësve të Postës Shqiptare, të gjithë sportelistëve, postierëve, veçanërisht atyre punonjësve që në periudhën më të vështirë të pandemisë kanë rrezikuar edhe jetën e tyre për të shpërndarë më shumë se 1 milion e 500 mijë pensione në adresë. Çmimi më vjen mirë që përkon edhe me 110 vjetorin e Postës Shqiptare, si një nga institucionet më të vjetra në vend, institucion i cili i ka shërbyer në mënyrë të përkushtuar qytetarëve shqiptarë për 110 vjet rresht, me më shumë se 100 shërbime postare dhe financiare. Faleminderit për vlerësimin!” - u shpreh znj. Bejleri.
Posta Shqiptare ndër vite ka shërbyer me përgjegjshmëri të lartë, por roli i saj vital u vu re gjatë periudhës së vështirë të pandemisë dhe të karantinës kombëtare, ku zyrat postare dhe armata e punonjësve në terren nuk e ndalën shërbimin ndaj qytetarëve, për asnjë ditë të vetme. Më synimin për të përbushur misionin publik, pavarësisht rrezikut të lartë, punonjësit e Postës Shqiptare kanë shërbyer derë më derë, ku fatkeqësisht disa prej tyre kanë humbur dhe jetën.