Organizimi i Retail Network Forum (Forumi I Shitjeve) në Tiranë
Nën koordinimin e Postës Shqiptare është organizuar Forumi i Shitjeve (Retail Network Forum) në Tiranë.
Administratorja e Postës Shqiptare, znj. Anisa Kaltanji, prezantoi tek të pranishmit fokusin e institucionit që ajo drejton, i cili është i orientuar tek shërbimet postare dhe financiare:
“Sot, eksperiencën tonë në fushën e E-Commerce, ne mund ta reflektojmë tek operatorët postarë që janë pjesëmarrës në këtë forum”, u shpreh Kaltanji.
Gjithashtu administratorja e Postës Shqiptare theksoi se institucioni që ajo drejton mbetet i angazhuar për të sjellë risi në digjitalizim, duke pasur në fokus projekte të reja në shërbim të qytetarëve si: karta sociale dhe rivilatizimi i plotë i flotës së postës shqiptare.
“Sot, Posta Shqiptare ka kënaqësinë që të ftojë 20 operatorë të tjerë postarë për t’u takuar në Shqipëri në një forum të dedikuar për strategjinë e shitjeve dhe zhvillimit në fushën e tregëtisë elektronike. Kjo është një qasje tërësisht e re përsa i përket zhvillimeve teknologjike tek Posta Shqiptare por njëkohësisht dhe trendet e fundit përsa i përket zhvillimeve në botë, sesi përqasen për tregun shqiptar, për t’i mundësuar të gjithë ‘Start up-eve’ në Shqipëri dhe bashkëkombasve tanë në Kosovë mundësinë për të qenë pjesë e platformave të tregtisë elektronike që tashmë në Postën Shqiptare janë realitet.
Posta Shqiptare përveç shërbimeve kryesore, me të cilat qytetarët tashmë njihen drejtpërdrejt, për këtë vit do të ketë platformën e parë të tregtisë elektronike. Mirëpresim me shumë kënaqësi daljen e kartës sociale, ku do të targetojmë pensionistët dhe të gjithë personat në ndihmë ekonomike, si akses ndaj shërbimit bankar dhe jo vetëm”, u shpreh znj. Kaltanji.
Forumi i shitjeve, me pjesëmarrës përfaqësues të Postave Europiane, u organizua për dy ditë me radhë në Tiranë.