Bashkëpunimi Shqipëri- Kosovë. Demiri: Do të vijojmë të rrisim edhe më tej bashkepunimin midis dy institucioneve tona 🇦🇱 🤝🇽🇰
Posta Shqiptare dhe ajo e Kosovës, vijojnë bashkëpunimin disavjeçar, si dhe mundësinë e zgjerimit në sektorë të rinj.
Administratori i Postës Shqiptare, z. Ardit Demiri priti një delegacion nga Prishtina të kryesuar nga kryeshefja e Postës së Kosovës znj. Nora Rraci, në kuadër të një vizite zyrtare që zhvilluan në Tiranë.
Drejtuesit e dy administratave postare, gjatë takimit të mbajtur në ambientet e Postës Shqiptare, diskutuan çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e bashkëpunimit disavjeçar mes tyre.
Administratori i Postës Shqiptare, z. Demiri theksoi gjatë takimit angazhimin dhe vullnetin e tij për çuarjen më tej të marrëdhënieve mes dy vendeve për zhvillimet e ardhshme të bashkëpunimit ndërmjet dy administratave tona postare.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte edhe diskutimi për përcaktimin e tarifave të objekteve postare me vend origjine Kosovën dhe destinacion shtetet e ndryshme të botës në bazë të analizës së kostove dhe tarifat e përcaktuara nga UPU.
Pjesë e diskutimeve të takimit ishte dhe emetini i pullës së përbashkët mes dy institucioneve, me tematikën e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Delegacioni i Kosovës vizitoi edhe Galerinë e Pullës në Postën Shqiptare, aty ku ekspozohet historia e shtetit shqiptar nëpërmjet pullave postare si dhe zyrën postare qëndrore të Filialit Tiranë.
Në vizitën në zyrën numër 5 delegacioni u shoqërua nga administratori i Postës Shqiptare z. Ardit Demiri dhe drejtori i Postës së Tiranës z. Shpati Kolgega, të cilët shpjeguan nga afër shërbimet e ofruara nga zonjat e sporteleve të cilat çdo ditë u shërbejnë me përkushtim dhe transparencë qytetarëve.
Gjithashtu delegacioni i Postës së Kosovës u njoh edhe me vendosmërinë që Posta Shqiptare ka në ofrimin e ndihmës për Kosovën.