Home > Media > aktivitete

Xhubleta, pjesë e filatelisë shqiptare përmes një emisioni të veçantë

Në Shkodër u zhvillua aktiviteti i organizuar nga Posta Shqiptare me rastin e prezantimit të emisionit filatelik “Trashëgimia Kulturore 2025 – Xhubleta”, një dedikim për një prej simboleve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e zhvilluar në Shkodër, Administratori i Postës Shqiptare, z. Etjen Xhafaj, u shpreh:

“Xhubleta nuk është vetëm një gjurmë e historisë dhe kulturës sonë, por mbi të gjitha një trashëgimi e përcjellë brez pas brezi, të cilën Posta Shqiptare e mban me shumë krenari. Në një kohë kur bota po ndryshon dhe sfidat e inovacionit e digjitalizimit janë gjithnjë e më të pranishme, është e rëndësishme të ruajmë dhe të përcjellim historinë dhe trashëgiminë tonë.”

Në aktivitet ishte i ftuar edhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, i cili vlerësoi rëndësinë e prezantimit të këtij emisioni pikërisht në Shkodër, një qytet me një lidhje të veçantë me trashëgiminë kulturore shqiptare.

Në fjalën e tij, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, u shpreh:

“Për ne që jemi nga Shkodra, trashëgimia kulturore nuk është diçka që ruhet në muze apo në libra, por është pjesë e jetës sonë, e kulturës sonë, e përditshmërisë sonë familjare dhe mënyrës se si identiteti ynë përcillet brez pas brezi. Pikërisht për këtë, është veçanërisht domethënëse që këtu në Shkodër të prezantojmë emisionin filatelik ‘Trashëgimia Kulturore – Xhubleta’.”

Xhubleta, e njohur për vlerat e saj të veçanta artistike, historike dhe etnografike, është pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe prej vitit 2022 është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje Urgjente të UNESCO-s.

Përmes këtij emisioni filatelik, Posta Shqiptare i bashkohet përpjekjeve për të sjellë në vëmendje dhe për të përcjellë te brezat e rinj vlerat e kësaj pasurie të rrallë kulturore. Pullat postare, përtej funksionit të tyre, mbeten një mënyrë e veçantë për të ruajtur dhe për të treguar historinë, traditat dhe figurat që përfaqësojnë identitetin tonë.

Në këtë kuadër, u vlerësua edhe kontributi i artizaneve dhe i grave që ndër breza kanë ruajtur dijen, teknikën dhe traditën e punimit të Xhubletës, duke e mbajtur të gjallë këtë trashëgimi.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve, studiues, artizanë, përfaqësues të fushës së kulturës, si dhe të ftuar të tjerë, të cilët ndanë vëmendjen mbi vlerat e Xhubletës dhe rëndësinë e ruajtjes së kësaj trashëgimie.

Posta Shqiptare e ka bërë pjesë të misionit të saj filatelik pasqyrimin e vlerave të trashëgimisë kombëtare. Përmes pullës postare përcillen jo vetëm letra dhe dokumente, por edhe histori, figura, tradita dhe pasuri që meritojnë të kujtohen dhe të ruhen.

Emisioni filatelik “Trashëgimia Kulturore 2025 – Xhubleta” i kushtohet kësaj trashëgimie të çmuar shqiptare, duke e bërë atë pjesë të historisë së filatelisë dhe të kujtesës sonë kombëtare.

 

 

 

 

 

Të dhënat për kodin

Mbyll dritaren X