Anëtarësime dhe Bashkëpunime Ndërkombëtare
Posta Shqiptare si një operator i caktuar aderon dhe është pjesë e disa institucioneve ndërkombëtare. Ato janë:
- UPU – Unioni i Përbotshëm Postar
Themeluar në vitin 1874, Unioni i Përbotshëm Postar (UPU), me seli në Bern (Zvicër), është organizata e dytë më e vjetër ndërkombëtare në botë dhe vepron si agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara për sektorin postar. UPU koordinon dhe rregullon bashkëpunimin postar ndërkombëtar, duke përcaktuar standarde dhe rregulla të përbashkëta që mundësojnë shkëmbimin e sigurt, të standardizuar dhe efikas të dërgesave postare ndërmjet vendeve anëtare. Posta Shqiptare është anëtare me të drejta të plota e UPU-së që prej datës 01.03.1922. Aktualisht, kjo organizatë numëron 192 vende anëtare, duke krijuar një rrjet global unik ku çdo shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara ka të drejtën të aderojë për të garantuar shërbimin universal postar në nivel ndërkombëtar.
- PostEurop
Shoqata e Operatorëve Postar Publik Europian PostEurop u formua në vitin 1993 për të përfaqësuar interesat e operatorëve postarë kombëtarë ndaj qeverive dhe autoriteteve rregullatore përgjegjëse për politikat e sektorit postar. Posta Shqiptare është një nga 26 anëtarët themelues të PostEurop. Sot, PostEurop ka 53 anëtarë, operatorë të caktuar të vendeve të Europës, që janë gjithashtu anëtare të Unionit Postar Universal (UPU), dhe u siguron atyre ndërlidhje, iniciativa të përbashkëta zhvillimore dhe mundësi për të ndarë praktikat më të mira. Në tetor 2025, Posta Shqiptare priti në Tiranë Asamblenë e Përgjithshme dhe Forumin e Biznesit të PostEurop, një eveniment historik për korporatën tonë që mblodhi mbi 150 CEO dhe delegatë nga 53 vende të Europës, duke e shndërruar Tiranën në një qendër rajonale të rëndësishme të sektorit postar në kontinent.
- PUMed
Bashkimi Postar për Mesdheun (PUMed) u krijua në Romë, më 15 mars 2011, nga 14 operatorë postarë në të gjithë rajonin mesdhetar dhe vepron nën kujdesin e Unionit Postar Universal (UPU). Sot, PUMed numëron 23 anëtarë, ndërsa Posta Shqiptare u bë anëtare e PUMed në nëntor 2018. Aktualisht, Posta Shqiptare mban vendin e anëtarit të Bordit Drejtues të PUMed dhe drejton Task Forcën për Komunikim dhe CSR për ciklin 2023–2025.
- PROJEKTE, BASHKËPUNIME DHE TRAJNIME
Posta Shqiptare është një institucion aktiv dhe inovativ, i angazhuar në projekte të rëndësishme që përmirësojnë shërbimet dhe mbrojnë mjedisin. Këto projekte, shpesh të mbështetura nga partnerë ndërkombëtarë si Unioni Postar Universal (UPU), fokusohen në modernizimin e flotës me mjete elektrike, përmirësimin e sistemeve teknologjike për gjurmimin e dërgesave dhe rritjen e sigurisë e cilësisë së shërbimeve, si dhe në matjen dhe uljen e gjurmës së karbonit, duke kontribuar në një të ardhme më të gjelbër.
Trajnimet e ofruara nga institucionet e lartpërmendura janë seminaret e ndryshme që organizojnë ato gjatë vitit. Ato përfshijnë mbledhjet e grupeve të punës, forumet e ndryshme, takime rajonale, seminare të organizuara rajonalisht nga institucionet e lartpërmendura me burimet e tyre financiare dhe në disa raste me fonde të BE dhe donatorëve të tjerë.