Posta Shqiptare mbështet Postën e Kosovës për anëtarësim në Unionin e Përbotshëm Postar.
Bushati: Posta Shqiptare mbështet Postën e Kosovës për anëtarësim në Unionin e Përbotshëm Postar.
Intensifikojmë bashkëpunimin në fushën e e-commerce dhe shërbimet postare.
Administratori i Postës Shqiptare z. Ervin Bushati ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë ku u takua me homologen e tij, znj. Fakete Kadiu. Qëllimi i këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit midis Postës Shqiptare dhe asaj të Kosovës.
“Partneritetin tonë të shkëlqyer ndër vite do ta çojmë përpara në arritje dhe realitete të reja. Do të intensifikojmë marrëdhëniet tona bilaterale në fushën e shërbimeve postare dhe do të mbështesim Postën e Kosovës për anëtarësimin në Unionin e Përbotshëm Postar (UPU)”, deklaroi gjatë fjalës së tij z. Bushati. Kreu i Postës Shqiptare gjithashtu tha se bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fushën e e-commerce.
Ndërkaq, Kryeshefja e Postës së Kosovës znj. Kadiu, uroi përzemërsisht zgjedhjen e z. Bushati në krye të Postës Shqiptare, ndërsa i shprehu mirënjohje të thellë Postës Shqiptare për bashkëpunimin e gjerë me Postën e Kosovës.
Në këtë takim zyrtar, drejtuesit e dy administratave postare të Shqipërisë dhe të Kosovës diskutuan çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e bashkëpunimit disavjeçar në mes të tyre.
Po ashtu, të dy palët u zotuan ta thellojnë bashkëpunimin e mëtejshëm të dy postave, që të mbështesin njëra-tjetrën në zhvillimin e projekteve të përbashkëta për t’u bërë lidere të Rajonit, me qëllim për të sjell shërbime sa më cilësore në interesin e qytetarëve.
Ndërkohë, vlen të theksohet bashkëpunimi shumëvjeçar i Postës Shqiptare dhe asaj të Kosovës në fusha të ndryshme në interes të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët e të dyja vendeve.