Posta Shqiptare merr pozicionin e rëndësishëm të anëtarit të Bordit Drejtues të PUMed.
Posta Shqiptare merr pozicionin e anëtarit të Bordit Drejtues të Unionit Postar të Mesdheut (PUMed) dhe drejtimin e Task Forcës për Komunikimin dhe Përgjegjësinë Sociale të Korporatave.
Nevila Bejleri, Drejtoresha e Shërbimit Financiar dhe Bankar në Postën Shqiptare, është zgjedhur anëtare e Bordit Drejtues të PUMED, pas një procesi votimi të zhvilluar gjatë Asamblesë të Përgjithshme të mbajtur në Luxor, ku u përfshinë përfaqësues nga 23 vendet anëtare.
Kjo është hera e parë që Shqipëria merr një pozicion të lartë drejtues në një nga platformat më të rëndësishme të operatorëve postar ndërkombëtar.
Ndërkohë që Posta Shqiptare do jetë pjesë e drejtimit të Task Forcës së ngritur për Komunikimin dhe Përgjegjësinë Sociale të Korporatave anëtare. Asambleja ka zgjedhur Gjergji Hamiti, Drejtor i Marrëdhënive me Jashtë dhe CSR, për të qënë nënkryetar i këtij komiteti.
Unioni Postar për Mesdheun (PUMed) është krijuar në Romë, në mars 2011, nga operatorët e vendeve të rajonit të Mesdheut. PUMed zhvillon aktivitetin e tij në bashkëpunim me Unionin Postar Universal (UPU).
Misioni i tij është krijimi i një hapësirë dinamike komunikimi dhe shkëmbimi praktikash mbi modelet dhe transformimin e tregut postar në mesdhe. Një nga qëllimet parësore të Unionit mbetet forcimi dhe përafrimi i qasjeve të vendeve anëtare në ballafaqimin e sfidave të sektorit postar dhe financiar.
Pjesë e Unionit janë operatorët postar të Francës, Spanjës, Italisë, Greqisë, Sllovenisë, Portugalisë, Egjiptit, Marokut etj, vende që përfshijnë gjirin e Mesdheut.
Aktualisht Presidencën e PUMED do ta mbajë Egjipti, ndërsa Shqipëria do të ushtrojë detyrën e anëtarit të Bordit të Drejtorëve.
Ky takim u përshëndet edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Unionit të Përbotshëm Postar (UPU), Z. Masahiko Metoki, i cili nënshkroi në emër të UPU deklaratën e përbashkët të forcimit të bashkëpunimit institucional me PUMED.