Posta Shqiptare nënshkruan me Policinë e Shtetit marrëveshjen për parandalimin e krimit të organizuar si dhe ruajtjen e sigurisë kombëtare
Administratori i Postës Shqiptare z. Ardit Demiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor z. Ilir Proda, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për parandalimin e krimit të organizuar si dhe ruajtjen e sigurisë kombëtare.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit, kontrabandimit të mallrave dhe lëndëve të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, pastrimit të parave, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Policia e Shtetit, së bashku me Postën Shqiptare do të bashkëpunojnë mbi vënien në dispozicion të pamjeve filmike, në rastet kur Policia e Shtetit i vlerësoron si të domosdoshme për parandalimin apo hetimin e ngjarjeve kriminale.
Gjithashtu, palët do të bashkëpunojnë mbi informacionet që lidhen me cenimin e sigurisë, mbrojtjes së infrastrukturës së zyrave postare në filiale, jetës dhe shëndetit të punonjësve, ashtu edhe në drejtim të parandalimit, zbulimit e goditjes së aktiviteteve kriminale.
Drejtoria e Sigurisë së Postës Shqiptare u përfaqësua në këtë takim nga znj. Migena Bardhaj, Drejtoreshë e Sigurisë dhe z. Xhevahir Alipaj, Përgjegjës i Sektorit të Sigurisë.