Historiku i Pullës
Historiku i Pullës Shqiptare
Pulla shqiptare përfaqëson një nga dëshmitë më të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar. Ajo nuk është vetëm një mjet postar, por edhe një dokument historik, kulturor dhe artistik, që pasqyron zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit ndër vite.
Fillimi i Pullës Shqiptare (1913)
Shqipëria fitoi Pavarësinë nga Perandoria Otomane në 28.11.1912, pas më se pesë shekujsh pushtimi ushtarak. Qeveria e krijuar në fillim të dhjetorit 1912 u ndesh që në fillim me vështirësi nga më të ndryshmet, të cilat lidheshin me mungesën tërësore të mjeteve materiale e financiare, mungesën e përvojës së organizimit si shtet më vete etj.
Kështu, që në fillim të ekzistencës së saj, Qeveria e Vlorës i kushtoi vëmendje të veçantë edhe formimit të shërbimit postar, shërbim i cili do të zëvendësonte postat osmane. Në 4 dhjetor 1912 u krijua ministria e Postë Telegrafë-Telefonavet, me minister Lef Nosin, i cili në atë kohë konsiderohej si i “i vetmi zyrtar i postës së mëparshme osmane”. Pikërisht këtij njeriu, tepër të aftë dhe të përgjegjshëm në detyrë, i takon merita e madhe e themeluesit të postës kombëtare shqiptare dhe krijuesit e ideatorit të emisioneve të para të filatelisë shqiptare.
Pulla e parë kombëtare shqiptare u emetua në 5 maj 1913, pak më shumë se 5 muaj nga data e shpalljes së Pavarësisë. Brenda territorit të kontrolluar nga qeveria e Vlorës, pulla e parë kombëtare shqiptare ishte vetëm një vulë dore metalike e porositur në Korfuz. Pulla vulë kishte formë rrethore dhe përbëhej nga dy rrathë koncentrikë, i jashtmi me diametër 38 mm. Ndërmjet të dy rrathëve ishte shkruar: “MINISTERIA E POST. TELEG. E TELEFONEVET”. Në mes të vulës ishte shqiponja me dy krerë, brenda një mburoje. Ngjyra e të gjithë përbërësve të vulës ishte e zezë. Zarfi kushtonte 1 piastër (1 piastër = 1 grosh = 40 para), megjithëse kjo vlerë nuk ishte e shkruar mbi të. Pulla u vu në qarkullim për herë të parë në datën 05.05.1913, datë që shënon edhe datën historike të krijimit të Filatelisë Shqiptare. Përdorimi i zarfave më këtë pullë-vulë vazhdoi deri në 30 qershor 1913, periudhë brenda së cilës filloi emetimi edhe i serive të tjera. Pullën e parë e gjejmë edhe të ngjitur mbi zarfa të tjerë, pasi paraprakisht ishte prerë në formë të rrumbullakët ose katrore. Ngjyra e zarfave ishte si: 1. Gri e hapur, 2. Gri e errët, 3. E gjelbër, 4. Blu, 5. E verdhë (9). Ndërkohë, janë evidentuar edhe zarfa me ngjyrë gri në të zezë.
Emisioni i parë i pullës kombëtare shqiptare u vu në shitje në 14 zyra postare, e pikërisht në qytetet ku shtrihej veprimtaria e qeverisë së Vlorës, më konkretisht në Vlorë, Fier, Lushnjë, Berat, Skrapar, Elbasan, Qukës, Peqin, Kavajë, Durrës, Shijak, Tiranë, Krujë dhe Lezhë.
Qeveria e Vlorës emetoi gjashtë emisione postare.
Pulla-vulë e parë: me mbishkrimin “MINISTERIA E POST. TELEG. E TELEFONEVET”. Në mes të vulës ishte shqiponja me dy krerë, brenda një mburoje.
Pulla-vulë e dytë tipi I: Emetuar nga 1 qershori deri në 14 tetori 1913. Vula zyrtare e postës me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin “Postat e Qeverriës së Përkohëshme të Shqipëniës” pa çmim, por e deklaruar 1 Pia. Tipi I i vulës është përdorur në zarfa me ngjyra të ndryshme.
Pulla-vulë e dytë, tipi II: Eshtë përdorur në tabakë me 45 pulla e dhëmbëzuar me makinë qepëse, e vlefshme deri me 30.6.1913.
Emisioni i tretë: u emetua në 16 qershor 1913. Mbishtypje mbi pullat turke të emetuara në vitet 1908, 1909 dhe 1911, të mbetura nga administratat e mëparshme të periudhes osmane. Këto pulla u mbishtypën me shqiponjën me dy krerë dhe fjalën SHQIPËNIA poshtë saj. Vlerat ishin në monedhat osmane të kohës. E njëjta mbishtypje u bë edhe mbi pullat osmane me mbishtypjen “behije”, mbishtypjen “2 para mbi 5 para”, “10 para mbi 20 para” dhe ato fiskale, të po këtyre viteve. Ngjyrat e mbishtypjeve ishin e zezë, blu, e kuqe, e kuqe tullë dhe vjollcë.
Emisioni i katërt: Emetuar me 25 tetor 1913. Vula zyrtare e postës (si emisioni i dytë), mbishtypur me shqiponjën dy krerëshe dhe vlerën në monedha osmane poshtë saj, brenda rrethit të brendshëm të vulës. Pulla-vulë dhe shqiponja ishin me ngjyra të ndryshme: e zezë, e kuqe, vjollcë, blu. Çmimi është shtuar me makinë shkrimi me ngjyrë vjollcë. U përdorën lloje të ndryshme letre. E vlefshme deri 28.11.1913.
Emisioni i pestë i pullës: Emetuar me 28 Nëntor 1913 me rastin e Përvjetoritt ë Irë të Pavarësisë. Me vulë dore mbi letër strip. Me shqiponjë dhe çmim. E vlefshme deri 30.12.1913.
Emisioni i gjashte i pullës dhe i fundit i qeverisë së parë: Emetuar më 1 dhjetor 1913. Pulla me portretin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skanderbeut. Seria përbëhet nga gjashte pulla dhe është seri me të gjitha parametrat e pullave të përdorura në Europe. Këtë seri e gjejmë të përdorur në vitet në vijim me mbishtypje të ndryshme të bëra gjatë viteve.
Qeveria e Princ Vidit (1914)
Në 7 Mars 1914, me rastin e mbërritjes së Mbretit Wilhelm von Wied në Durrës, u mbishtypën pullat dhe kartëpostaret me portretin e Skënderbeut, me vulë dore ku shkruhej: “7 Mars, 1967 RROFTE MBRETI 1914”. E vlefshme deri më 15.3.1914. Në datën 7 Mars 1914 në Shkodër dhe Lezhë u prodhuan zarfa me serinë e plotë të pullave me portretin e Skenderbeut, vulosur me vulë ari. Tirazhi: nga 50 copë.
Pullat me portretin e Wilhelm von Wied, të porositura prej tij në Gjermani, erdhën në shtator të vitit 1914 dhe nuk u vunë në qarkullim sepse Mbreti ishte larguar nga vendi ynë.
Qeveritë e Përkohshme dhe Vitet 1919–1924
Pesë emisione të pullave në vazhdim i përkasin pullave fiskale të Administratës Austriake të cilat u mbishtypën dhe u përdorën si pulla poste.
Pas Luftës së Parë Botërore, pullat shqiptare pasqyrojnë periudhën e qeverive të përkohshme dhe ndikimin e administratës austro-hungareze. Në këtë fazë u përdorën:
Nga 30 janari 1920 deri më 31 janar 1925 drejtoi shtetin “Këshilli i Naltë i Regjencës”.
Në këtë periudhe u emetuan seri me pulla me portretin e Skenderbeut me shqiponjë, pamje nga qytete shqiptare, Kryqi i Kuq Shqiptar etj.
Republika e Shqipërisë (1925)
Në vitin 1925 u emetuan pullat e Republikës së Shqipërisë, ku një pjesë paraqesin peizazhe shqiptare, ndërsa seri të tjera portretin e Ahmet Zogut, duke pasqyruar funksionin e tij si President i Republikës.
Një nga emisionet më të rëndësishme të kësaj periudhe është ai kushtuar “Fluturimit të Parë Vlorë–Brindizi”, si dhe karta postare me mbishkrimin “Republika e Shqipërisë”.
Mbretëria Shqiptare (1928–1939)
Me shpalljen e Mbretërisë, pullat mbajnë portretin e Mbretit Zog I dhe mbishkrimin gotik “Mbretnia Shqiptare”. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, u emetuan seri dhe blloqe përkujtimore. Martesa e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë u shoqërua gjithashtu me emetime të veçanta filatelike.
Pushtimi Italian dhe Nazist (1939–1944)
Gjatë pushtimit italian, pullat shqiptare u shtypën në Itali dhe mbanin edhe portretin e Viktor Emanuelit III. Një seri e veçantë e vitit 1943 iu kushtua luftës kundër tuberkulozit.
Në periudhën e pushtimit nazist, për herë të parë u përdorën bocete origjinale të pullave, të punuara në laps grafiti, si dhe seri me tematikë lidhur me ndihmën humanitare për të dëmtuarit nga lufta.
Pas Çlirimit – Republika Popullore
Pas vitit 1945, pullat shqiptare i kushtohen fitores ndaj fashizmit dhe ndërtimit të shtetit të ri. Emetohen seri që përfaqësojnë:
· Skënderbeun,
· Qemal Stafën,
· Ushtrinë shqiptare,
· Asamblenë Kushtetuese dhe ngjarje të rëndësishme historike.
Rindërtimi dhe Tematika Shoqërore
Një pjesë e rëndësishme e pullave pasqyron rindërtimin dhe zhvillimin e vendit, duke paraqitur:
· elektrifikimin,
· hidrocentralet,
· industrinë,
· bujqësinë,
· infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.
Paralelisht, u emetuan seri tematike kushtuar Kryqit të Kuq, shëndetit publik, faunës dhe florës shqiptare, si dhe përvjetorëve të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Trashëgimia Filatelike
Sot, pulla shqiptare përbën një trashëgimi të çmuar kombëtare. Në ekspozita dhe koleksione paraqiten:
· pulla, vula dhe zarfe origjinale,
· negativë filmash në xham,
· lastra për prodhimin e pullave,
· bocete origjinale artistike.
Kjo pasuri filatelike dëshmon historinë, identitetin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar ndër dekada.
Seritë filatelike pas vitit 1990
Pas vitit 1990, emetimet filatelike shqiptare janë pasuruar me tematika të larmishme, që pasqyrojnë hapjen e vendit dhe integrimin e tij kulturor dhe sportiv në arenën ndërkombëtare. Ndër to spikasin seri kushtuar zbulimeve arkeologjike, të cilat dëshmojnë lashtësinë e qytetërimit në trojet shqiptare, si dhe seri të dedikuara aktiviteteve sportive dhe Lojërave Olimpike të zhvilluara në vende të ndryshme të botës.
Një vend të veçantë zënë emetimet kushtuar figurave kyçe të historisë kombëtare, si Skënderbeu, si dhe personaliteteve me përmasa botërore, ndër të cilat Nënë Tereza, përfshirë edhe seritë e posaçme të emetuara në përkujtim të momenteve të rëndësishme të jetës dhe veprës së saj.
Trashëgimia kulturore dhe vlerat universale
Një pjesë e rëndësishme e filatelisë shqiptare i kushtohet trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale. Seritë filatelike pasqyrojnë monumente, objekte dhe vlera kulturore të mbrojtura nga UNESCO, duke promovuar pasurinë kulturore shqiptare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Po ashtu, përmes serive të dedikuara figurave të shquara kombëtare dhe botërore, Posta Shqiptare ka nderuar personalitete që kanë kontribuar në fusha të ndryshme si kultura, arti, shkenca, politika dhe muzika, duke i dhënë filatelisë një dimension edukues dhe përfaqësues.
Tradita dhe artizanati shqiptar
Filatelia shqiptare ka ruajtur dhe promovuar mjeshtërinë tradicionale përmes serive të dedikuara artizanatit, si dhe veshjeve tradicionale shqiptare. Këto emetime paraqesin kostumet kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare, duke reflektuar larminë kulturore nga veriu në jug dhe trashëgiminë e pasur të brezave.
Filatelia për fëmijë
Një kapitull i veçantë i filatelisë shqiptare i kushtohet fëmijëve, me seri pullash që paraqesin personazhe të njohura të filmave vizatimorë dhe tema edukative. Këto emetime janë realizuar si para ashtu edhe pas vitit 1990 dhe shoqërohen me zarfe të Ditës së Parë të Qarkullimit, duke nxitur interesin e brezave të rinj për filatelinë.
Emetimet e reja filatelike
Çdo vit, Posta Shqiptare paraqet emetime të reja filatelike, të konceptuara për të pasqyruar ngjarje, tema dhe figura me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
